Me një vendim që shënon kthesë historike për mbrojtjen e kafshëve, Polonia ka miratuar ligjin që ndalon plotësisht industrinë e gëzofit. Presidenti Karol Nawrocki e nënshkroi aktin të martën, duke e bërë vendin anëtarin e 18-të të BE-së që i jep fund kësaj praktike, e cila çdo vit çonte në therjen e rreth tre milionë vizonëve, dhelprave, rakunëve, çinçilave dhe qenve.
Ndalesa godet një sektor ku Polonia ishte prej vitesh aktor kryesor — prodhuesja më e madhe në Evropë dhe e dyta në botë pas Kinës. Aktualisht funksionojnë 281 ferma, nga të cilat 169 me vizonë, 37 me dhelpra, 11 me qen e rakunë dhe 64 me çinçila.
Ligji, i cili u miratua më herët nga Sejmi dhe Senati pas një marrëveshjeje mes partive, hasi kundërshtimin e vetëm nga formacioni i ekstremit të djathtë Konfederacja, raportoi “Notes from Poland”.
Sipas dispozitave të reja, hapja e fermave të reja të gëzofit ndalohet menjëherë, ndërsa të gjitha fermat ekzistuese duhet të mbyllen deri më 31 dhjetor 2033. Për fermerët që vendosin të ndërpresin aktivitetin para 1 janarit 2027, parashikohet një skemë kompensimi deri në 25% të të ardhurave mesatare të viteve 2020–2024.
Industria ishte prej kohësh në rënie: eksportet e gëzofit të vizonit kanë rënë nga 402 milionë euro në vitin 2015 në vetëm 71 milionë euro në vitin 2024, ndërsa numri i fermave të vizonit ka rënë nga 810 në 281.
Sipas sondazheve të fundit, 66% e polakëve e mbështesin këtë vendim. /Pasqyrapress/


