Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është nisur drejt Hagës për të takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara. Rama ka shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj procesit gjyqësor, duke theksuar shqetësime për zgjatjen e paraburgimit dhe për standardet e drejtësisë ndërkombëtare, shkruan Klan Kosova.
Sipas tij, Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij po mbahen të izoluar pa një vendim përfundimtar gjyqësor, transmeton Pasqyrapress.
“Jam rrugë për në Hagë ku do të takoj pas disa kohësh nga takimi i mëparshëm komandantin e UÇK-së, presidentin e Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare. Për turpin e madh të gjithë atyre që sponsorizojnë atë lloj drejtësie, ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë. Ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli, së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra të rëndësishme në Kosovë, mbahen të mbyllur, të izoluar”, ka thene Rama.


