Një ngjarje e rëndë është shënuar në Prizren, ku një e mitur rreth 12 vjeçe ka humbur jetën në ambientet e Spitalit Rajonal, ndërsa rrethanat e rastit mbeten ende të paqarta.
Sipas informacioneve zyrtare, autoritetet policore janë njoftuar pasditen e së enjtes për vdekjen e një pacienteje në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Nga deklarimet e marra në cilësinë e dëshmitarit, është bërë e ditur se vajza ishte pranuar për trajtim më 17 dhjetor, rreth orës 23:50, ndërsa një ditë më vonë, rreth orës 15:55, kishte ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurave hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejme mjeko-ligjore. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet në kohë. /Pasqyrapress/


