Detaje të reja janë prezantuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Në seancë janë shfaqur pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat dokumentojnë lëvizje dhe momente të ndryshme gjatë ditës kritike. Sipas materialeve të paraqitura, pamjet përfshijnë regjistrime nga disa lokacione në Prishtinë dhe rrethinë, përfshirë dalje nga banesa, ndalesa në pika të ndryshme dhe lëvizje me automjete, të cilat prokuroria i konsideron relevante për zbardhjen e kronologjisë së ngjarjeve.
Në video-incizime shfaqen edhe momente nga një restorant, ku viktima Liridona Ademaj kishte qëndruar më herët së bashku me familjen, si dhe prania e personave të tjerë të përfshirë në rast. Pamje të tjera tregojnë ndërveprime të shkurtra mes të akuzuarve, të cilat po analizohen në kuadër të provave. Prokuroria theksoi se regjistrimet ndihmojnë në ndërtimin e një pasqyre më të qartë mbi lëvizjet dhe kohën e veprimeve, ndërsa mbrojtja pritet të japë qëndrimin e saj në seancat në vijim.
Rasti vazhdon të ndiqet me interes të lartë publik, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë edhe prova të tjera në ditët në vazhdim. /pasqyrapress/


