Gjuha shqipe ka hedhur një tjetër hap drejt përshtatjes me kohën digjitale. Fjala “onlajn” tashmë është përfshirë zyrtarisht në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, i cili është publikuar edhe në versionin elektronik. Ky fjalor, i konsideruar më i ploti deri më sot, përmbledh rreth 125 mijë njësi leksikografike dhe është përgatitur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Për herë të parë, përdoruesit mund ta konsultojnë atë edhe në internet. Termi “onlajn” shpjegohet si veprim ose komunikim që kryhet përmes internetit, si mësimi, takimet apo bisedat në distancë, duke u përshtatur në formën e shqipëruar të përdorimit të përditshëm. Sipas të dhënave zyrtare, fjalori përfshin dhjetëra mijëra fjalë, shprehje frazeologjike, terma terminologjikë dhe kuptime leksikore, duke u cilësuar si një botim i shumëpritur nga studiuesit dhe përdoruesit e gjuhës shqipe. /pasqyrapress/


