Autoritetet amerikane kanë nisur një rishikim të gjerë të procedurave të vizave, duke pezulluar përkohësisht shqyrtimin e aplikimeve për imigrantë nga dhjetëra shtete, mes tyre edhe Kosova dhe Shqipëria. Sipas raportimeve të mediave amerikane, pauza lidhet me procesin e verifikimit dhe rivlerësimit të standardeve të sigurisë, ndërsa konsullatat janë udhëzuar të zbatojnë ligjet ekzistuese gjatë kësaj periudhe tranzitore.
Masat pritet të hyjnë në fuqi nga fundi i janarit dhe do të zgjasin për një afat të pacaktuar, deri në përfundimin e vlerësimit nga Departamenti i Shtetit. Në listë përfshihen rreth 75 vende, ndërsa disa shtete të rajonit nuk janë pjesë e saj. Ambasada amerikane në Prishtinë ka konfirmuar informacionin, duke theksuar se bëhet fjalë për procedura administrative dhe jo për ndalim të përhershëm të vizave. /pasqyrapress/


