Hetimet në Milano po zgjerohen te gjigantët e modës, ndërsa karabinierët kërkojnë dokumente nga 13 marka të njohura, përfshirë Versace, Gucci, Prada, Dolce & Gabbana, YSL, Givenchy, Adidas e të tjera. Prokuroria dyshon për shfrytëzim të punëtorëve nga nënkontraktorë kinezë që prodhojnë për këto shtëpi mode në kushte të ngjashme me skllavërinë.
Sipas hetuesve, prej vitesh janë gjetur artikuj të markave luksoze në punishte të paligjshme, ku prodhimet realizohen me kosto minimale dhe shiten me çmime mijëra euro më të larta. Markave u është kërkuar të dorëzojnë auditime dhe modele parandalimi për të pastruar zinxhirin e furnizimit, ndërsa prokuroria po aplikon një qasje më të butë krahasuar me masat e ashpra të vendosura në raste të ngjashme, si ai i Tod’s. /Pasqyrapress/.


