Një ngjarje e rëndë trafiku është shënuar mbrëmjen e së martës në Graçanicë, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet. Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 23 e 30, ndërsa drejtuesi i veturës dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin.
“Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi që dyshohet se me veturë nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Me urdhër të organeve kompetente, shoferi është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje. Policia ka bërë të ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat përkatëse, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë. /PASQYRAPRESS/

