Një produkt ushqimor për fëmijë është tërhequr nga qarkullimi në Kosovë, pas një njoftimi zyrtar që ka ardhur përmes sistemit evropian të paralajmërimit të shpejtë për ushqimin (RASFF). Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën të ditur se alarmi është ngritur pas informimit nga autoritetet shqiptare, lidhur me praninë e substancës Cereulide në një formulë ushqimore për fëmijë me origjinë nga Holanda. Sipas të dhënave, kompania “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Kosovë për rrjetin “Rossmann Kosova”.
AUV thekson se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i produktit, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë edhe procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pavarësisht sfidave me mungesën e inspektorëve, Agjencia garanton se monitorimi i tregut dhe i zinxhirit ushqimor vazhdon, me qëllim që konsumatorët në Kosovë të kenë në dispozicion produkte të sigurta dhe të shëndetshme. /pasqyrapress/


