Një zhvillim pozitiv po vjen nga Brukseli për Kosovën. Bashkimi Evropian ka nisur procesin e heqjes së plotë të masave të vendosura gjatë vitit 2023, duke hapur rrugën për zhbllokimin e fondeve të rëndësishme financiare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendimi është konfirmuar pas takimeve të zhvilluara në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Sipas saj, një pjesë e masave po hiqet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër pritet të largohet deri në fund të muajit janar. Me heqjen graduale të masave, pritet që rreth 205 milionë euro të lirohen në fillim të vitit të ardhshëm, nga gjithsej 216 milionë euro të planifikuara për Kosovën. Këto mjete do të mbështesin projekte zhvillimore dhe iniciativa institucionale. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar këtë hap si lajm të mirë dhe ka konfirmuar se procesi drejt heqjes së plotë të masave do të vazhdojë. Ky vendim vjen pas vlerësimeve pozitive nga BE-ja lidhur me zhvillimet e fundit dhe angazhimin institucional në Kosovë. /Pasqyrapress/


