Një mjek familjar nga Vushtrria është vënë nën akuzë nga organet e drejtësisë, pasi dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën e tij profesionale për përfitime financiare. Sipas autoriteteve, rasti lidhet me një periudhë disa mujore gjatë vitit 2025, kur mjeku, duke ushtruar detyrën në një institucion publik shëndetësor, dyshohet se ka lëshuar dokumente mjekësore pa bazë reale shëndetësore.
Këto dokumente, sipas aktakuzës, janë përdorur nga persona të ndryshëm për të siguruar pushime mjekësore, ndonëse nuk kishin probleme shëndetësore që e arsyetonin këtë. Hetimet po ashtu tregojnë se i dyshuari ka përshkruar barna në bazë të sugjerimeve të palëve të treta, ndërkohë që për secilin rast dyshohet se ka marrë pagesa të vogla monetare. Prokuroria ka kërkuar që çështja të shqyrtohet në gjykatë dhe që, nëse vërtetohen dyshimet, ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim sipas ligjeve në fuqi. /pasqyrapress/


