Një situatë e rëndë është shënuar sot në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ku tre punonjës janë përballur me dhunë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:00, në repartin e Ortopedisë të spitalit “Dr. Sami Haxhibeqiri”, një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar teksa po zbatonin rregullat e hyrjes dhe po parandalonin praninë e personave të paautorizuar. Si pasojë e incidentit, tre punonjësit kanë marrë trajtim mjekësor emergjent, ndërsa gjendja e tyre është trajtuar nga stafi shëndetësor. Nga spitali kanë dënuar ashpër çdo formë dhune ndaj personelit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurisë, duke kërkuar që rasti të trajtohet sa më shpejt nga organet kompetente, në përputhje me ligjin.
“Rreth orës 11:00, në repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’, ka ndodhur një incident gjatë zbatimit të rregullave të hyrjes, ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Si pasojë, tre punonjësit kanë pranuar trajtim mjekësor emergjent. Spitali dënon çdo formë dhune ndaj stafit shëndetësor dhe kërkon që rasti të trajtohet me urgjencë nga organet kompetente, në përputhje me ligjin”, kane njoftuar nga spitali. /pasqyrapress/


