Një paralajmërim për qytetarët që udhëtojnë transit nëpër Serbi është bërë publik nga avokati Arianit Koci, pas informacioneve se një bashkatdhetar është arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të një embleme në veshje.
Sipas tij, arrestimi ka ndodhur pasi autoritetet kanë vërejtur simbolikë që lidhet me UÇK-në, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe të pajustifikueshëm juridikisht. Koci thekson se shprehja e identitetit politik apo historik nuk konsiderohet vepër penale sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.
Ai paralajmëron se raportet mes shteteve janë të tensionuara dhe se në këto rrethana, qytetarët e zakonshëm po mbesin më të ekspozuar ndaj veprimeve të tilla, të cilat, sipas tij, po përdoren edhe si mjet presioni politik. Si masë kujdesi, qytetarëve që kalojnë transit nëpër Serbi u rekomandohet të shmangin çdo shenjë apo emblemë që mund të shkaktojë keqinterpretime, me qëllim garantimin e sigurisë personale gjatë udhëtimit. /pasqyrapress/


