Një zhvillim i rëndësishëm është shënuar në sistemin publik shëndetësor në Kosovë, pasi për herë të parë është konfirmuar një shtatzëni e realizuar përmes fertilizimit të asistuar mjekësor në institucionet publike. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se shtatzënia është arritur pas procedurave të fertilizimit të asistuar mjekësor (In Vitro Fertilization), të kryera në Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm për shumë çifte që përballen me vështirësi për të pasur fëmijë, pasi tashmë kjo procedurë mund të realizohet edhe në sektorin publik shëndetësor. Ai theksoi gjithashtu se dy procedurat e para të IVF-së në QKUK ofrohen pa pagesë për pacientët, duke synuar të lehtësojnë qasjen e qytetarëve në trajtime të avancuara të fertilitetit. Vitia shprehu mirënjohje për ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për angazhimin dhe punën e tyre në realizimin e këtij procesi të rëndësishëm. /PASQYRAPRESS/


