Procesi zgjedhor po hyn në një fazë tjetër, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon përpunimi i materialeve të votimit që kanë ardhur jashtë qendrave të rregullta të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani është arritur progres i konsiderueshëm në trajtimin e votave të dërguara me postë, me dhjetëra kuti tashmë të përfunduara dhe të regjistruara në sistem. Në ditët në vijim, vëmendja do të zhvendoset edhe tek format e tjera të votimit, përfshirë votimin me kusht dhe votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilat do të kalojnë nëpër procedura të veçanta verifikimi dhe numërimi.
Nga KQZ theksohet se këto procese janë pjesë e afateve ligjore dhe po zhvillohen nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa rezultatet do të publikohen sapo të përmbyllen të gjitha fazat e parashikuara. /PASQYRAPRESS/


