4.7 C
Pristina
HomeKulturëLotët që nuk shuhen: Homazhi i Ermonela Jahos

Lotët që nuk shuhen: Homazhi i Ermonela Jahos

Në Kosovë, aty ku kujtesa e luftës ende pulson nën lëkurën e çdo familjeje, sopranoja botërore Ermonela Jaho zgjodhi të kthehej këtë nëntor për të ndarë një dhimbje që nuk i përket vetëm historisë, por edhe shpirtit shqiptar. Koncerti i saj në Gjakovë, “Një zë, një komb”, u shndërrua në një ritual kujtese për ata që ranë për liri dhe për të zhdukurit që ende mungojnë në tryezat e familjeve.

E shoqëruar nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit, Jaho interpretoi arie të Puccinit, Bellinit dhe repertorit shqiptar, duke i lidhur me historitë e nënave Pashke Krasniqi dhe Ferdonije Qerkezi – dy gra që mbartin në shpinë barrën e pashpjegueshme të humbjes. Djepi i vendosur në skenë, përlotja e artistes dhe heshtja e publikut krijuan një homazh të rrallë për sakrificën shqiptare, nga Ajkuna e legjendave deri te nënat e luftës së fundit.

Historia jonë njeh shumë gra të tilla, që humbën bijtë në luftra të ndryshme dhe u bënë vetë monumente dhimbjeje. Nënë Pashakoja e Korçës me tre djem dëshmorë dhe Nënë Pashke Marku e Gjakovës me djemtë e vrarë në masakrën e Mejës, janë dy figura që mishërojnë tragjeditë e kombit. Historia e Pashke Markut, e cila pas varrimit të bijve u vetëflijua, mbeti një plagë kombëtare e mishëruar në gurin përkujtimor që u kthye në qendër debati publik.

Po kaq të dhimbshme janë edhe kujtimet e Ganimete Tërbeshit, vajzës 17-vjeçare të varur nga pushtuesit në 1944, si dhe të Margaritës dhe Kristaq Tutulani në Berat. Breza të tërë u rritën me këngët dhe poezitë për to, ndërsa sot rrezikojmë t’i humbasim në zhurmën e harresës dhe të luftërave të interpretimit politik.

Shumë monumente, varreza dëshmorësh e shtëpi kujtese janë sot të rrënuara. Rasti i Shotë Galicës, me tri varre dhe asnjë të saktë, tregon se sa pak kujdes i kushtohet trashëgimisë që duhet të ishte themel identiteti. Ndërkohë, ende 1600 familje në Kosovë nuk kanë informacion për të zhdukurit e tyre – një barrë që institucionet nuk e kanë çuar deri në fund.

Pikërisht në këtë sfond, koncerti i Ermonela Jahos merr vlerën e një himni që na kthen te rrënjët, te nënat që mbajnë gjallë kujtesën, te figura që nuk duhen lënë të zhduken bashkë me vitet. Dhimbja e tyre është pjesë e historisë sonë dhe arti i vërtetë, si ai i Jahos, na kujton sa e domosdoshme është të mos i lëmë këto histori të treten./pasqyrapress/

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të Popullarizuarat