Një moment i papritur gjatë një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut u kthye në histori humanizmi falë ndërhyrjes së një mjeku nga Kosova. Protagonist i kësaj ngjarjeje është Malë Dautaj, mjek nga Peja, i cili u përball me një situatë emergjente në kabinën e aeroplanit, kur gjendja shëndetësore e një pasagjeri të ri amerikan u përkeqësua me shpejtësi.
“Ishte pothuajse pa shenja jete… pas 45 minutash hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshje”.
Sipas rrëfimit të tij, rreth orës 16:00, mbi Oqeanin Atlantik, u kërkua ndihmë urgjente për një pasagjer që po humbiste ndjenjat. Mjeku nga Peja reagoi menjëherë, duke e kuptuar seriozitetin e situatës. “Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin e Vjenës duke shkuar në Nju Jork, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës.
Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë.” Me pajisjet personale dhe ndihmën e ekuipazhit të avionit, u realizua ndërhyrja emergjente që rezultoi vendimtare për jetën e pacientit. “U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete.” Pas rreth 45 minutash përpjekjeje të vazhdueshme, gjendja e të riut u stabilizua, duke u shoqëruar me reagimin e parë pozitiv dhe duartrokitje nga pasagjerët. “Vura re se pacientit i mungonte oksigjeni. Pas rreth 45 minutash reanimimi dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë…” Për mjekun nga Kosova, me 27 vite përvojë pune, ky moment mbetet një nga përjetimet më të forta profesionale dhe emocionale. /pasqyrapress/


