Gjykata ka zhvilluar seancë lidhur me aktakuzën ndaj Ramadan Morinës, ku Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se ekzistojnë ende kushtet ligjore për këtë masë sigurie, ka shkruar Klan Kosova. Sipas prokurorit të rastit, në aktakuzë është propozuar vazhdimi i paraburgimit për shkak të rrezikut të shmangies nga drejtësia, duke u bazuar në rrethanat që lidhen me adresën dhe qëndrimin e të akuzuarit, transmeton Pasqyra press.
“I akuzuari dha adresë të pasaktë, paralufte e ka pas në fshat e nga ajo kohë nuk ka adresë në Kosovë. Adresën e përhershme e ka në Serbi. Atë që e dha në Prishtinë është adresë e përkohshme dhe e një familjari të tij që ky me gjasë e shfrytëzon në pak raste për këto 20 vite ku ka ardhë në Kosovë”, tha prokurori.
“Nuk e pranoj fajësinë se prej majit ’98 deri më ’99 fare s’kam qenë në Kosovë. E kam dëshminë”, deklaroi Morina.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, pas këtij deklarimi, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi palët se brenda afatit ligjor prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime ndaj provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës. Gjykata po ashtu ka bërë të ditur se çështjet procedurale dhe masat e sigurisë do të trajtohen në vendime të veçanta, jashtë seancës kryesore. Procesi gjyqësor ndaj Morinës pritet të vazhdojë sipas afateve të parapara ligjore, ndërsa palët mbeten në fazën fillestare të procedurës penale.


