Autoritetet policore dhe shërbimet emergjente janë angazhuar sot në Prizren, pas raportimeve për një person të ri që është gjetur pa shenja jete në rrugën “Ukshin Hoti”, përballë një lokali, ka shkruar Sinjali.
Rasti është raportuar rreth orës 12:40, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore, shefi i ndërrimit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e të riut. Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për Faruk Taç.
Policia ka bërë të ditur se po hetohen të gjitha rrethanat e rastit, ndërsa dyshimet fillestare lidhen me vetëdëmtim, pa dhënë ende një konkluzion përfundimtar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Stacionit Policor të Prizrenit, hetimet rajonale si dhe njësitë relevante. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rrethanat e plota të rastit mbeten nën hetim nga autoritetet kompetente. /pasqyrapress/


