Vendimi i Apelit që e shpalli të pafajshëm Luiz Ejllin nuk e ka mbyllur përfundimisht kapitullin e tij me drejtësinë. Prokuroria ka vendosur ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rishqyrtim të vendimit të 8 majit 2025. Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar këngëtarin me një vit burg, nën akuzën për falsifikim dokumentesh. Sipas dosjes hetimore, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një periudhë kur ai nuk ushtronte zyrtarisht profesionin e noterit, ndërsa pretendohet se janë përdorur vula për veprime të paautorizuara.
Në Apel ai u shpall i pafajshëm, por organi i akuzës këmbëngul se provat duhet të rivlerësohen nga shkalla më e lartë. Tashmë, dosja është në shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe relator i çështjes është caktuar gjyqtari Sokol Binaj. Në dosje përmendet edhe emri i Fatmir Avdurramanit, i dënuar bashkë me Ejllin në Shkallën e Parë. Sipas të dhënave publike, Avdurramani ka pasur më herët probleme me drejtësinë në Itali, ndërsa ndaj tij janë marrë masa pasurore në vitet e fundit. Prokuroria synon të vërtetojë para Gjykatës së Lartë elementet që, sipas saj, justifikojnë rikthimin e dënimit. Çështja mbetet e hapur dhe vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të japë fjalën përfundimtare. /pasqyrapress/


