Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e mbajtur sot, nxori në pah një problem më të thellë shoqëror: mungesën e angazhimit qytetar përtej deklaratave publike. Një nga zërat që reagoi ishte Arianit Koci, i cili bëri të ditur se ishte tërhequr nga organizimi për shkak të një konflikti të mundshëm interesi, por megjithatë mori pjesë në protestë si qytetar.
Ai theksoi se, ndonëse në shoqëri flitet shumë për kauza të ndryshme, veprimi konkret mungon, ndërsa protestat mbeten me pjesëmarrje minimale. Sipas tij, kjo u reflektua qartë edhe sot, pasi përballë protestës kishte më shumë gazetarë dhe qytetarë që prisnin autobusë në stacion, sesa protestues aktivë.
Një situatë që, sipas Kocit, duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë. Ai shtoi se një pjesë e madhe e atyre që më së shumti kritikojnë në publik, nuk u panë në protestë, duke e cilësuar këtë si një kontrast mes fjalëve dhe veprimeve. Megjithatë, Koci vlerëson se arsyet për të protestuar mbeten të shumta dhe se shoqëria përballet me probleme serioze që kërkojnë reagim më të organizuar dhe më të qëndrueshëm në të ardhmen, përtej këtij rasti konkret. /pasqyrapress/


