Autoritetet suedeze kanë hapur një hetim ndaj një hetueseje policore, e dyshuar për mashtrim të rëndë lidhur me pushimin mjekësor të deklaruar ndër vite. Sipas mediave në Suedi, rasti doli në pah pasi u vu re një rritje e pazakontë e raportimeve për sëmundje gjatë muajve të verës në rajonin e Stokholmit. Gjatë verifikimeve, është konstatuar se në disa raste, e dyshuara ndodhej me pushime në Kosovë në të njëjtën kohë kur figuronte si e sëmurë në dokumentacion zyrtar. Hetimet paraprake tregojnë se ajo kishte aplikuar për pushim vjetor, por kërkesa nuk ishte aprovuar, ndërsa më pas kishte paraqitur raport mjekësor për sëmundje. Vetë ajo ka deklaruar se ka etikë të lartë pune dhe se rrallëherë mungon për arsye shëndetësore. Nga ana tjetër, hetuesit pretendojnë se bëhet fjalë për mungesa të përsëritura përgjatë tre viteve, të lidhura me probleme psikike të raportuara gjatë rikthimit në punë. Rasti mbetet në proces hetimi, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një vendim përfundimtar.


