Një hap i ri në trajtimin e sëmundjeve urologjike është shënuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Për herë të parë në vend është realizuar një ndërhyrje kirurgjikale minimalisht invazive për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka, e njohur si Nephrolitotomia Perkutane (PCNL). Deri më tani, pacientët që përballeshin me këtë problem shpesh detyroheshin të kërkonin trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Me aplikimin e kësaj metode në QKUK, trajtimi modern për këtë patologji tashmë mund të kryhet edhe brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë. Procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laserit holmium. Kjo teknologji mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive. Metoda PCNL përdoret kryesisht për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke siguruar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë ndihmon në reduktimin e traumës kirurgjikale, shkurtimin e kohës së qëndrimit në spital dhe përshpejtimin e rikuperimit të pacientit. Rasti i parë që iu nënshtrua me sukses kësaj ndërhyrjeje është një pacient me inicialet N.M., i lindur në vitin 1967. Sipas njoftimit, pas trajtimit ai është liruar nga spitali dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.


