Dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një banese në Rahovec, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Sipas informatave zyrtare, rasti është raportuar në Stacionin Policor të Rahovecit rreth orës 08:30 nga një familjar, i cili gjatë një vizite te kushëriri i tij, që jetonte i vetëm, ka hasur dy persona të shtrirë pa shenja jete në banesë. Viktimat janë një burrë rreth 86 vjeç dhe një grua rreth 64 vjeç.
Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e të dy personave. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit dhe prokurorin kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorisë, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të saktë të vdekjes. Hetimet e mëtejshme janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë. /pasqyrapress/


