Në një seancë të fundit parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka votuar pro rezolutës që lidhet me proceset gjyqësore në Hagë. Teksti i saj u lexua para deputetëve nga Përparim Gruda i PDK-së. LDK nuk mori pjesë në votim, ndërsa Lista Serbe lëshoi sallën para procedimit. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, të respektojnë me përpikëri standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Theksi vihet në transparencë, llogaridhënie dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësi. Po ashtu, kërkohet garantimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe obligimet që burojnë nga aktet ndërkombëtare.
Rezoluta i drejtohet edhe Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara, duke theksuar nevojën për pavarësi dhe paanshmëri të plotë në ushtrimin e funksionit, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare. Në fund, Kuvendi inkurajon shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të këtyre institucioneve, që të bashkohen në thirrjen për respektimin e standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me praktikat e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së. /pasqyrapress/


