Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar pranë portit të Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar panik mes mijëra pasagjerëve që ndodheshin në anijen turistike “Mein Schiff 4”. Sipas raportimeve të mediave gjermane, përfshirë BILD, pasagjerët morën një alarm emergjence në telefonat e tyre dhe u udhëzuan të mblidheshin brenda anijes, transmeton Telegrafi. “Dëgjuam një zhurmë shumë të fortë pranë nesh”, ka deklaruar një pasagjer, duke shtuar se ekuipazhi kërkoi të shmangeshin dritaret dhe të ruhej qetësia, përcjell Pasqyrapress. Autoritetet lokale njoftuan se shpërthimi ndodhi në një zonë portuale pranë bazës detare Al Salam, ndërsa raportohet për përfshirje të dronëve në incident. Si pasojë, disa kontejnerë janë përfshirë nga flakët. Kompania TUI Cruises theksoi se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioritet, ndërsa disa nisje në rajon janë anuluar përkohësisht. Situata po monitorohet nga autoritetet përkatëse. /pasqyrapress/


