Fshati Andon Poci, afer Gjirokastres, nga një fshat dikur plot jetë, ku oborri i shkollës mbushej me zërat e mbi njëqind nxënësve, sot mbretëron heshtja. Godina e arsimit, që për breza me radhë ishte qendra e fshatit, është mbyllur pasi aty nuk ka mbetur asnjë fëmijë, ka shkruar Periskopi-transmeton Pasqyra press. Të rinjtë janë larguar prej vitesh dhe vendi ka marrë pamjen e një zone të harruar. Banori më i ri i fshatit ka kaluar të 60-at, ndërsa të tjerët janë kryesisht të moshuar mbi 70 vjeç.
Të vetëm, ata vazhdojnë të punojnë tokat për të siguruar jetesën, ndërsa shikojnë ditë pas dite si fshati boshatiset. Mes atyre që ndjejnë më shumë dhimbjen e kësaj gjendjeje është edhe Nasko Shituni, ish-mësuesi që dikur mbante gjallë shkollën me pasionin e tij.
Pas dy dekadash pune, sot ai, në moshën 85-vjeçare, kthehet për të parë vendin ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale — një ndërtesë tashmë e heshtur.
Ai tregon me mall se dikur shkolla kishte nxënës të shumtë dhe prindër të angazhuar, ndërsa sot ndjen trishtim për mënyrën se si ajo ka mbetur në harresë. Në tërë fshatin, rrugicat janë të qeta dhe shumica e shtëpive të braktisura. Ajo pak lëvizje që ndihet, vjen nga hapat e njerëzve të moshuar që ende jetojnë aty. /Pasqyrapress/


