Një rast tragjik ka tronditur fshatin Grejkoc të komunës së Suharekës, ku një grua ka humbur jetën, ndërsa autoritetet dyshojnë se ajo kishte konsumuar një mjet kimik për pastrimin e banjove, shkruan Sinjali.
Burime bëjnë të ditur se gruaja është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren në gjendje të rëndë shëndetësore. Për shkak të situatës kritike, ajo është transferuar më pas për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Fatkeqësisht, rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, familjarët janë informuar se S. L. ka ndërruar jetë, pavarësisht angazhimit maksimal të mjekëve. Me vendim të Prokurorit kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, rasti është regjistruar si “hetim i vdekjes”, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjithashtu, është urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të japë sqarime mbi shkaqet e sakta të vdekjes. Hetimet janë ende në zhvillim. /pasqyrapress/


