Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë. Pas pranimit të informatës, njësitë policore reaguan menjëherë dhe dolën në vendin e ngjarjes, ka njoftuar policia e Kosoves ne facebook.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operative, fillimisht u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan armët e përdorura. Pas hetimeve të mëtejme, u identifikua dhe u arrestua edhe i dyshuari i pestë, nga i cili po ashtu u konfiskua një armë zjarri.
Të dyshuarit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për vepra penale që lidhen me përdorimin dhe posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe posedim të narkotikëve. /Pasqyrapress/


