Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë po shënojnë një tjetër hap simbolik në nivel shtetëror. Sipas raportimeve të mediave turke, Ankaraja i ka dhuruar Shqipërisë një avion qeveritar të tipit Airbus A319 VIP, i destinuar për përdorim shtetëror dhe diplomatik. Avioni, me vlerë të përafërt rreth 11.9 milionë dollarë, do t’i kalojë shtetit shqiptar pa asnjë kosto financiare. Po sipas të njëjtave burime, të gjitha shpenzimet që lidhen me transferimin e pronësisë do të mbulohen nga pala turke.
Mjeti ajror ka qenë i operuar më herët nga Turkish Airlines dhe është i konfiguruar për flota qeveritare, një praktikë e zakonshme edhe në vende të NATO-s. Marrëveshja bazohet në dokumente zyrtare të publikuara në Fletoren Zyrtare dhe synon forcimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.
Avioni ka peshë maksimale ngritjeje 75.900 kilogramë dhe fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P. Ai është i pajisur me sistemin AS400 airshow, ndërsa konfigurimi i brendshëm është i përshtatur për misione shtetërore dhe diplomatike. Sipas vlerësimeve, kjo dhuratë shihet edhe si një sinjal mbështetjeje politike dhe teknike për rolin rajonal të Shqipërisë, veçanërisht në fushat e aviacionit civil dhe bashkëpunimit strategjik. /pasqyrapress/


