Kompania “Union” ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me një seri të qumështit për foshnja Aptamil AR 1, duke sqaruar se produkti është i sigurt për përdorim.
Në një komunikatë për media, kompania thekson se pas shqetësimeve të ngritura nga autoritetet në Kroaci, janë ndërmarrë menjëherë analiza dhe testime shtesë për serinë përkatëse, me qëllim verifikimin e sigurisë së produktit.
“Pas shqetësimeve nga autoritetet në Kroaci në lidhje me një seri të caktuar të këtij produkti, janë realizuar menjëherë analiza dhe testime shtesë sistematike. Si rrjedhojë, rezultatet e këtyre testimeve kanë konfirmuar se produktet e kësaj serie janë të sigurta dhe plotësisht në përputhje me të gjitha kërkesat rregullatore të Bashkimit Evropian. Megjithatë, si masë parandaluese dhe si masë e sigurisë së shtuar në bashkëpunim me Inspektoratin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kemi marrë masa të largojmë produktin nga tregu”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se të martën është ndërmarrë tërheqja nga tregu e një sasie të qumështit Aptamil, pas dyshimeve për praninë e bakteries Bacillus cereus. /pasqyrapress/


