Debatet për mandatin e ardhshëm presidencial kanë nisur të marrin formë, pasi Vjosa Osmani ka konfirmuar se po shqyrton kandidimin për një periudhë të re në krye të shtetit. Në një intervistë për “Evropa e lirë”, ajo ka bërë të ditur se, para çdo vendimi formal, rëndësi parësore ka përfundimi i zgjedhjeve dhe krijimi i institucioneve funksionale, duke paralajmëruar më pas konsultime me përfaqësues të spektrit politik për të testuar mbështetjen e nevojshme.
Sipas saj, angazhimi në jetën publike do të vazhdojë pavarësisht epilogut të procesit presidencial, me theks të veçantë në ruajtjen e interesit shtetëror dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Në intervistë janë prekur edhe çështje të tjera, përfshirë raportet institucionale brenda vendit, politikën e jashtme, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Osmani ka vlerësuar se respektimi i marrëveshjeve të arritura mbetet faktor kyç për stabilitetin rajonal dhe për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. /pasqyrapress/


