Një situatë e rrezikshme është regjistruar në qytetin e Gjilanit, ku një zjarr i shpërthyer brenda një marketi ka vënë në alarm autoritetet dhe qytetarët e zonës.
Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, kur brenda objektit është vërejtur tym, çka ka nxitur reagim të menjëhershëm. Sipas Sinjalit, rasti është raportuar nga përgjegjësi i marketit “Meridian”, i cili ka kërkuar ndërhyrje urgjente.
Forcat policore, zjarrfikësit dhe ekspertët përkatës kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke arritur ta vënë situatën nën kontroll dhe të shmangin përhapjen e zjarrit në objektet përreth. Të dhënat fillestare tregojnë se dëmet materiale janë të mëdha dhe vlerësohen rreth 200 mijë euro, ndërkohë që nuk ka informacione për persona të lënduar.
Rasti është raportuar edhe tek Prokurori Kujdestar dhe është hapur procedurë hetimore për të zbardhur shkaqet e zjarrit, të cilat aktualisht mbeten të panjohura. Hetimet po vazhdojnë. /Pasqyrapress/


