Paga minimale në Kosovë do të rritet duke filluar nga muaji i ardhshëm, ku shuma do të shkojë në 425 euro bruto, në vend të 350 eurove që është aktualisht. Kështu ka njoftuar Albin Kurti në facebook. Ndryshimi i dytë pritet më 1 korrik, kur paga minimale do të vendoset në 500 euro, sipas planit të miratuar nga Qeveria.
Kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt tek rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë. Paga minimale, që për mbi dhjetë vite kishte mbetur në nivelin 130/170 euro, gjatë mandatit aktual është ngritur disa herë, dhe tash po shënon rritjen e saj të tretë.
“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë,” ka përfunduar Kurti. /Pasqyrapress/



