Pasqyra Press mëson se sot në Prishtinë është zhvilluar një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore dhe Policisë së Kosovës, i cili ka përfshirë kontrolle në 15 biznese që ofrojnë shërbime estetike.
Sipas informacioneve zyrtare, aksioni është realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, në bazë të dyshimeve se disa subjekte kanë ofruar shërbime me produkte medicinale pa autorizim ligjor dhe pa personel të certifikuar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në Kosovë aktualisht nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal, çka e bën përdorimin e tij të paligjshëm sipas legjislacionit në fuqi. Prokuroria ka njoftuar se hetimet do të vazhdojnë dhe se do të ndërmerren masa ligjore ndaj çdo veprimtarie të kundërligjshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik.
Ngjarja mbetet në zhvillim dhe priten detaje të tjera. /Pasqyrapress/


