Fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike nuk do të lejohen të përdoren lirshëm gjatë ditëve të fundvitit në territorin e Komunës së Gjilanit.
Institucionet lokale kanë përcaktuar kufizime të posaçme që synojnë shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e qetësisë publike.
Sipas vendimit të komunës, ndalesa zbatohet nga 20 dhjetori 2025 deri më 3 janar 2026, duke përfshirë të gjitha hapësirat publike si sheshet, rrugët dhe zonat tregtare. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në momentin e ndërrimit të viteve, në intervalin 23:30 – 00:30, natën mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit.
Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se çdo shkelje e kësaj mase do të ndëshkohet me gjobë deri në 100 euro, bazuar në urdhëresën komunale në fuqi.
Qytetarëve u kërkohet mirëkuptim dhe respektim i masave për një festë më të sigurt për të gjithë. /Pasqyrapress/


