Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka regjistruar rezultate pozitive nga investimet edhe gjatë këtij viti, duke vazhduar trendin e kthimeve të qëndrueshme financiare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, deri më 24 dhjetor 2025 është realizuar një kthim bruto prej rreth 312 milionë euro nga investimet.
Vetëm gjatë vitit 2024, kthimi bruto kishte arritur në afërsisht 244 milionë euro. Kjo do të thotë se gjatë dy viteve të fundit, kthimet bruto të akumuluara nga investimet kapin vlerën mbi 550 milionë euro, duke reflektuar performancë pozitive të menaxhimit të mjeteve pensionale.
Trusti thekson se, në tërësi, që nga themelimi e deri më tani, kthimi bruto i akumuluar nga investimet ka arritur rreth 1.3 miliardë euro. Po ashtu, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e arkëtimit të kontributeve të reja, që aktualisht arrijnë në rreth 354 milionë euro, ose 12 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. Sipas Trustit, këto rezultate konfirmojnë kthim vjetor pozitiv nga investimet gjatë gjithë viteve të funksionimit të institucionit. /paasqyrapress/


