Qyteti i Prishtinës ka hyrë në vitin 2026 me cilësi të dobët të ajrit, duke u renditur ndër qytetet me ndotjen më të lartë në nivel global gjatë ditës së enjte. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma ndërkombëtare IQAir, kryeqyteti i Kosovës është pozicionuar në vendin e 18-të në botë për ndotje të ajrit, bazuar në matjet e grimcave të dëmshme PM, ka shkruar Sinjali.
Vlera e regjistruar e këtyre grimcave ka arritur nivelin 74.3, që klasifikohet si ajër i dëmshëm, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Ekspertët këshillojnë kufizimin e aktiviteteve të gjata në ambiente të hapura dhe marrjen e masave mbrojtëse, derisa kushtet atmosferike të përmirësohen. /pasqyrapress/


