Kompania e transportit ARDITI TOURS ka reaguar publikisht ndaj raportimeve të fundit në disa media, ku u pretendua se një autobus i kësaj kompanie ishte djegur gjatë udhëtimit. Në një komunikatë për media, ARDITI TOURS mohon kategorikisht këto pretendime, duke sqaruar se autobusi në fjalë nuk ka qenë i djegur në asnjë moment dhe se gjatë rrugës është shfaqur vetëm një defekt i vogël teknik, i cili është riparuar brenda rreth 20 minutave.
Sipas kompanisë, defekti nuk ka rrezikuar sigurinë e pasagjerëve, ndërsa pas ndërhyrjes teknike, udhëtimi ka vazhduar normalisht dhe pa probleme të tjera. ARDITI TOURS thekson se siguria e udhëtarëve dhe mirëmbajtja e mjeteve transportuese janë prioritet absolut, ndërsa u bën thirrje mediave që para publikimit të lajmeve të verifikojnë informacionet zyrtare për të shmangur keqinformimin e opinionit publik. Kompania njofton gjithashtu se është e hapur për çdo sqarim shtesë përmes komunikimit zyrtar dhe paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj mediave që kanë publikuar informacione të pavërteta. /pasqyrapress/


