Një incident serioz është regjistruar sot në një kopsht në Pejë, ku një nxënës ka sulmuar edukatoren e tij me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e goditjes, edukatorja ka marrë ndihmë mjekësore dhe është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës për trajtim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, ndërsa rasti është duke u hetuar. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka deklaruar:
“Sot në orën 10:40, Policia është njoftuar se në një kopsht, një nxënës me një shufër metalike e ka goditur edukatoren me mjete të fortë, duke i shkaktuar lëndime. E njëjta është dërguar në emergjencën në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe Prokurori,” ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për rrethanat apo moshën e nxënësit, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /pasqyrapress/


