Zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës është dëgjuar zyrtarisht në Washington. Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në këtë rajon, ka njoftuar përmes një postimi në facebook Ardita Sinani.
Rezoluta është iniciuar nga kongresisti Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, dhe ka marrë mbështetje dypartiake, duke përcjellë një mesazh të qartë politik drejt Beogradit, ka shkruar kryetarja e Preshevës. Ky zhvillim konsiderohet hap i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe sinjal se çështjet e padrejtësisë dhe diskriminimit nuk po mbeten të injoruara. Mbështetja është ndërtuar përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshirë edhe organizatat lobuese në SHBA. Shtetet e Bashkuara kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike për trajtimin e shqiptarëve në Luginë, duke theksuar se kjo çështje nuk lidhet vetëm me deklarata, por me veprime konkrete dhe angazhim afatgjatë. /pasqyrapress/


