Dogana e Kosovës ka njoftuar për zbulimin e rreth një milion eurove të padeklaruara në Pikëkalimin Kufitar Merdare, gjatë një kontrolli të detajuar të realizuar sot. Sipas njoftimit, automjeti është përzgjedhur për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative. Fillimisht është përdorur skaneri me rreze X, ku janë evidentuar indikacione për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e mjetit. Pas kontrollit të përbashkët me Policinë Kufitare, janë gjetur mjete monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma dyshohet të jetë rreth 1,000,000 euro. Prokurori kompetent është njoftuar dhe hetimet po vazhdojnë. /pasqyrapress/


