Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka dalë me një njoftim të radhës lidhur me situatën e krijuar nga bllokada e vazhdueshme e hapësirës ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar për mundësinë e një evakuimi të organizuar në rast nevoje. Sipas njoftimit zyrtar, Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë si dhe me Ambasadën e Kosovës në Riad, për të shqyrtuar opsionet më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët kosovarë që ndodhen aktualisht në territorin e Emirateve. Të gjithë qytetarët e Kosovës – si vizitorë ashtu edhe rezidentë – që gjenden në Emirate dhe nuk janë paraqitur ende, ftohen të kontaktojnë Ambasadën përmes: Email: embassy.uae@rks-gov.net Tel/WhatsApp: +971 54 709 2109 Gjatë paraqitjes, kërkohet të dërgohen të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit, si dhe informacioni për qytetin dhe vendndodhjen aktuale (hotel apo banim i përkohshëm). Ambasada thekson se këto të dhëna janë të domosdoshme për të mundësuar procedurat e lejeve të kalimit emergjent, në koordinim me autoritetet e Arabia Saudite, në rast se organizohet evakuim përmes aeroporteve si Jeddah apo Riad. Autoritetet bëjnë të ditur se çdo zhvillim i ri do të komunikohet menjëherë përmes kanaleve zyrtare. /pasqyrapress/


