Një zhvillim me peshë juridike është bërë publik nga qytetarja prej Luginës Teuta Fazliu, e cila ka njoftuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar zyrtarisht çështjen e saj që lidhet me pasivizimin e adresës nga autoritetet në Serbi. Sipas njoftimit, rasti ka mbërritur në këtë instancë pas përfundimit të të gjitha shkallëve të gjykimit në Serbi, proces që ka zgjatur rreth gjashtë vite. Ajo thekson se bëhet fjalë për rastin e parë të këtij lloji që pritet të shqyrtohet nga gjykata në Strasburg.
Fazliu ka falënderuar publikisht avokatin Drini Grazhdani, duke bërë të ditur se ai e ka ndjekur çështjen në mënyrë pro bono, me synimin që përmes këtij rasti të hapet rruga e drejtësisë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që janë prekur nga praktika e pasivizimit të adresave. Sipas saj, regjistrimi i lëndës në Strasburg përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm në planin personal, por edhe për të gjithë qytetarët që pretendojnë se janë dëmtuar nga kjo praktikë administrative. /pasqyrapress/


