Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar pas raportimeve dhe interpretimeve që ndërlidhën Presidenten Vjosa Osmani me termin “frizere”. Përmes një postimi publik, Konjufca tha se rrallëherë reagon ndaj lajmeve të rreme, por kësaj radhe e pa të nevojshme të sqarojë situatën pas, siç e quajti ai, “shtrembërimit të qëllimshëm”.
Ai tregoi se gjatë një tubimi në Ferizaj, një person nga publiku kishte përdorur termin “frizere”, ndërsa ai kishte reaguar vetëm për të kundërshtuar përdorimin përçmues ndaj këtij profesioni. Sipas Konjufcës, diskutimi nuk kishte të bënte fare me Presidenten Osmani dhe se mediat, sipas tij, e shkëputën termin nga konteksti për të krijuar interpretime të tjera.
“Diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese”, shkroi ai. Në fund të reagimit, Konjufca kërkoi ndjesë ndaj personave që mund të jenë ndier të ofenduar nga interpretimet e krijuara në publik. /PASQYRAPRESS/


