Një akt i jashtëzakonshëm sakrifice u shënua në Gjermani, ku një grua 26-vjeçare humbi jetën teksa arriti të shpëtonte vajzën e saj 2-vjeçare nga një tren që po afrohej. Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në një vendkalim hekurudhor në Leingarten-Mitte. Në momentin kur pa trenin duke iu afruar, nëna shtyu karrocën me vajzën jashtë zonës së rrezikut, duke i shpëtuar jetën. Megjithatë, ajo nuk arriti të largohej në kohë dhe u godit për vdekje nga treni.
Hetimet paraprake kanë treguar se sinjalizimi në vendkalimin hekurudhor ishte në funksion, ndërsa dëshmitarët kanë deklaruar se makinisti aktivizoi frenimin emergjent dhe dha sinjal paralajmërues para përplasjes. Vajza e mitur shpëtoi pa asnjë lëndim, ndërsa asnjë prej pasagjerëve të trenit nuk u lëndua. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.


