Analistja Nahe Selmani ka ngritur shqetësim publik pasi në rrjetet sociale ka shpërndarë një gabim serioz të gjetur në librat e gjeografisë të përdorur në shkollat e Maqedonisë së Veriut. Në foton që ajo publikoi, një faqe e librit i referohet rajonit të Dukagjinit me termin “Metohi”, çka ka shkaktuar debate të menjëhershme.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në Euronews Albania, Selmani e cilësoi këtë rast si një skandal të rëndë, duke theksuar se botimi i librit të gjeografisë për klasën e 7-të është publikuar në gusht të këtij viti. Sipas saj, përdorimi i termit “Metohi” për zonën e Dukagjinit përbën një gabim të rëndësishëm me ndikim identitar.
Ajo sqaroi se fotoja i është dërguar nga një prind i shqetësuar dhe se ky rast nuk mund të konsiderohet një gabim i rastësishëm, pasi libri ka kaluar të gjitha procedurat e filtrimit dhe miratimit sipas ligjeve të Maqedonisë së Veriut. Selmani theksoi se identifikimi i Dukagjinit me termin “Metohi” është historikisht i pasaktë dhe cenon identitetin e rajonit. “Ky tekst është pjesë e librit të gjeografisë së klasës së 7-të dhe botimi i tij në vitin 2024 e bën edhe më të papranueshëm një gabim të tillë. Përdorimi i termit ‘Metohi’ për Dukagjinin është një devijim i rëndë historik dhe identitar”, deklaroi ajo. /Pasqyrapress/


