Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar lidhur me zbatimin e ligjit për të huajt dhe automjetet në Kosovë, duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje lehtësuese për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Ai thekson se vendosja dhe zbatimi i rregullave ligjore është i mirëpritur, pasi sipas tij, rregulla të ngjashme ekzistojnë edhe në shumë shtete të tjera ku sundon rendi dhe ligji. Megjithatë, Pajaziti nënvizon se në rastin e qytetarëve të Luginës duhet të merret parasysh realiteti i tyre specifik dhe lidhjet e shumta që kanë me Kosovën. Sipas tij, shumë qytetarë nga Lugina jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë dhe lëvizja e tyre e shpeshtë është pjesë e përditshmërisë. Për këtë arsye, ai kërkon nga Qeveria e Kosovës të shqyrtojë mundësinë e një modeli lehtësues ose përjashtimesh të caktuara, në mënyrë që zbatimi i ligjit të mos i dëmtojë në praktikë këta qytetarë. Pajaziti paralajmëron se një trajtim pa fleksibilitet mund të ketë pasoja indirekte, duke përfshirë edhe ndikime në procese të ndjeshme siç është pasivizimi i adresave në vendbanimet e tyre në Serbi. Ai shton se është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje e balancuar që respekton ligjin, por njëkohësisht merr parasysh realitetin e shqiptarëve të Luginës. Në fund, Pajaziti shpreh bindjen se institucionet në Prishtinë nuk kanë qëllim të dëmtojnë bashkëkombasit në Luginë dhe se mund të gjendet një zgjidhje e drejtë që lehtëson jetën e tyre dhe ruan lidhjet e përditshme me Kosovën. /pasqyrapress/


