Një rast i ndërlikuar mjekësor është trajtuar me sukses në Shërbimin e Ortopedisë pranë Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku një pacient 23-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje të specializuar pas një aksidenti automobilistik.
Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, reagimi i menjëhershëm dhe profesionalizmi i stafit mjekësor bënë të mundur shmangien e komplikacioneve serioze dhe stabilizimin e gjendjes së pacientit. Mjekët konstatuan një luksacion posterior sternoklavikular në anën e majtë, një dëmtim i rrallë dhe kompleks, që kërkon ndërhyrje të avancuar për shkak të rrezikut që paraqet për strukturat jetike përreth.
Ndërhyrja u realizua përmes metodës bashkëkohore “reponim i hapur me fiksim FiberTape”, duke shmangur komplikacione të mëtejshme. Shefi i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, Prof. Dr. Vilson Ruci, e cilësoi ndërhyrjen si mjaft të vështirë, por të përfunduar me sukses, duke shtuar se pacienti pritet t’i rikthehet jetës normale brenda më pak se dy muajsh. Nga ana tjetër, Prof. Dr. Arben Zenelaj, shef i Shërbimit të Kirurgjisë së Këmbës Diabetike dhe Angiokirurgjisë, theksoi se rasti ishte sfidues edhe për shkak të rrezikut nga dëmtimi i enëve kryesore të gjakut në zonën e kraharorit. Sipas tij, ndërhyrja shkoi pa komplikacione dhe pacienti tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.


