Një njoftim për sigurinë ushqimore ka ngritur shqetësim në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet evropiane kanë raportuar shpërndarjen e një produkti për foshnja që rezulton i kontaminuar me bakterin Bacillus cereus.
Sipas raportimit të Periskopit, paralajmërimi është bërë përmes Sistemit të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë të Komisionit Evropian (RASFF), i cili ka sinjalizuar për praninë e bakterit në qumështin për foshnja APTAMIL, produkt i prodhuar në Holandë dhe i shpërndarë në disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë rajonin e Ballkanit.
Autoritetet në Kosovë kanë konfirmuar se janë duke bashkëpunuar me kompaninë importuese për grumbullimin dhe asgjësimin e produktit, ndërsa konsumatorët janë këshilluar të tregojnë kujdes dhe të mos e përdorin atë. Nga analizat laboratorike të kryera në Holandë, është konstatuar prania e bakterit në një nivel të konsiderueshëm, çka ka nxitur reagimin e menjëhershëm institucional. Sipas ligjit për ushqimin, institucionet janë të obliguara të informojnë publikun sa herë që ekziston rrezik për shëndetin.
Autoritetet u bëjnë thirrje prindërve që të verifikojnë produktet që kanë blerë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të ri. /pasqyrapress/


